Këngëtarja shqiptare nga Kosova, Fjolla Morina ka dalë sot para Gjykatës së Kukësit për t’u njohur me masën e sigurisë, për akuzat “Trafik të armëve dhe municioneve”, pasi iu kap në pikën kufitare të Morinës dy pistoleta, teksa ishte duke udhëtuar për në Shqipëri.
Vendimi ishte parashikuar të jepej në orën 08:20 të mëngjesin, por seanca u shty për në orën 13:00. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, por e akuzuara ka kërkuar që t’i jepet “arrest shtëpie” me pretendimin se është shtatzënë dhe për këtë ka paraqitur një eko.
Prokuroria kërkoi që të paraqitet në seancë një mjek gjinekolog dhe nëse gjykata merr një vendim më të lehtë se ‘arrest me burg’, atëherë prokurori kërkon garanci shtesë pasurore prej 5 mln lekë.
Avokatja e Fjolla Morinës, Aurora Guska në mbrojtjen e paraqitur në gjykatëka tha se armët e gjetura në çantë të këngëtares nuk janë armë zjarri, por njëra është pistoletë që përdoret për të trembur qentë dhe kafshët e egra, ndërsa tjetra pistoletë çakmak.
“Kjo pistoletë nuk është armë zjarri, por pistoletë që përdoret për të trembur qentë apo kafshët e egra dhe për të dhënë sinjal në rast rreziku pasi bën zhurmë dhe qëllimi i përdorimit është në sport dhe ndryshe është pistoletë zhurmuese, ndërsa tjetra është çakmak”, thotë avokatja.
Ajo ka sqaruar edhe arsyen se përse u shty seanca gjyqësore.
“Fillimisht kërkesa e parë e prokurorisë ishte për arrest në burg, me faktet pasi Fjolla është shtatzënë dhe është e pamundur që ajo të lihet në burg sipas nenit 230 pika 2. Na u la një kohë për të siguruar një kontratë qiraje banimi që ajo të vendoset me masën e sigurisë arrest shtëpie ose në këtë kundërtën kërkoi dhe garanci pasurore. Gjatë kësaj kohe na u la koha e lirë për të konkluduar nëse do paraqesim garancinë pasurore ose kontratën e qira”, ka thënë avokatja Guska.