Pasi mposhti Covid-19, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u është rikthyer intervistave. Kështu ditën e sotme, në një intervistë për “A2” infeksionisti ka rekomanduar që të merren masa të tjera shtrënguese. Sipas Piperos, deri në fund të marsit duhet të mbyllen shkollat dhe lokalet dhe numri i udhëtarve në transportin publik të jetë i limituar.
“Deri nga fundi i marsit masat duhet të ishin më të shtrënguara, orari i kafeneve më i shkurtuar, të mos shërbehet në tavolina, por “delivery”. Shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të ishin mbyllur deri në fund të marsit. Edhe pse nuk është zgjidhje e problemit, është zgjedhje e detyruar për nga ritmet e pandemisë pasi nuk janë kështu vetëm në vendin tonë”, është shprehur Pëllumb Pipero.
Sipas Piperos, përhapja e virusit po favorizohet nga temperaturat e ulëta dhe indiferenca e të rinjve që nuk tregojnë kujdes. Mjeku shton se një shqetësim shumë i madh është se në ditët e sotme vatrat e përhapjes së COVID është familje dhe jo komuniteti, siç ka qenë në fillim të pandemisë.
“Numri i rasteve ka luhatje të mëdha, besoj që arsyet kryesore që kanë cuar janë kushtet e moti se ka qenë shumë ftohte dhe në temperatura të ulëta, virusi në mjedise të mbyllura qarkullon më shpejt dhe më shumë, grumbullimi në ambiente të mbyllura, ka filluara fushata dhe pjesa më e madhe e politikanëve i organizojnë takimet në mjedise të mbyllura. Një nga vatrat kryesore të qarkullimit është vetë familja, se të rinjtë sëmuren më pak, por infektojnë të gjithë. Fakti që kemi më shumë të rinj dëshmon atë që kemi thënë që janë më të ekspozuar, për shkak të punës, por edhe më të shkujdesur“, tha Pipero.
Shifrat e të prekurve me Covid-19 sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë dhe situata është bërë shumë alarmante. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në 24 orët e fundit janë kryer 3975 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 1153 qytetarë.Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në dy spitale rajonale po trajtohen 606 pacientë, 35 në terapi intensive nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar.








