Pas debatit të madh mbi privatësinë e televizorëve inteligjentë, LG ka reaguar zyrtarisht duke mohuar se Smart TV-të e saj regjistrojnë vazhdimisht bisedat e përdoruesve apo i transmetojnë ato fshehurazi.
Reagimi vjen pas hetimit teknik të publikuar nga Gamers Nexus, Level1Techs dhe studiues të sigurisë, i cili ngriti shqetësime mbi të dhënat që mund të mbledhin disa televizorë LG, përfshirë aktivitetin në rrjetin lokal dhe audion në rrethana të caktuara.
Çfarë thotë LG?
Në deklaratën e saj, LG kundërshton interpretimin se televizorët qëndrojnë duke “përgjuar” vazhdimisht ambientin. Kompania thotë se përpunimi speech-to-text fillon vetëm pasi përdoruesi aktivizon ndërveprimin zanor, përmes një “wake word” të mbështetur ose duke shtypur butonin e zërit/AI në telekomandë.
Sipas LG-së, audioja që nevojitet për të identifikuar fjalën e aktivizimit përpunohet lokalisht në televizor. Nëse fjala nuk identifikohet, kompania thotë se audioja nuk konvertohet në tekst, nuk ruhet dhe nuk transmetohet.
LG pranon se gjatë një ndërveprimi zanor mund të krijohen rezultate të njohjes së zërit dhe regjistra teknikë, por argumenton se ato lidhen me komandën konkrete të përdoruesit dhe nuk janë dëshmi e regjistrimit të vazhdueshëm të bisedave.
Po ACR dhe monitorimi i asaj që shikojmë?
Një tjetër pikë e debatit është Automatic Content Recognition (ACR), teknologjia që mund të identifikojë përmbajtjen që po shfaqet në televizor.
LG deklaron se ACR, njohja zanore dhe reklamat e bazuara në interesa janë funksione opsionale dhe nuk aktivizohen automatikisht. Për ACR-në, kompania thotë se përdoret “audio fingerprinting” për identifikimin e përmbajtjes dhe se sistemi nuk mbledh regjistrime të ekranit, video apo regjistrime zanore nga televizori.
Por debati nuk është mbyllur
Pikërisht këtu historia bëhet më interesante. Hetuesit dhe disa media teknologjike argumentojnë se deklarata e LG-së nuk u përgjigjet të gjitha pikëpyetjeve të ngritura nga testimet.
The Verge vëren në mënyrë specifike formulimin e LG-së se televizorët nuk regjistrojnë “vazhdimisht”, ndërsa hetimi i Gamers Nexus pretendonte se kishte gjetur regjistra të audios ambientale që qëndronin të ruajtur më gjatë sesa do të pritej nga një ndërveprim normal me asistentin zanor.
Gjithashtu mbeten pyetje më të gjera mbi sasinë e të dhënave që mbledhin televizorët Smart, mënyrën se si ato ndahen dhe sa të kuptueshme janë realisht opsionet e privatësisë për përdoruesin e zakonshëm.
Pra, në këtë fazë nuk është e saktë të thuhet si fakt se televizorët LG “na përgjojnë”, por as hetimi fillestar nuk mund të konsiderohet i rrëzuar vetëm nga mohimi i kompanisë. Kemi dy versione që përplasen dhe një debat teknik mbi mënyrën se si funksionojnë mikrofonët, komandat zanore, ACR dhe mbledhja e të dhënave.








