Ronida Hysi, infermierja e Spitalit Infektiv, e arrestuar për vjedhjen e një shume parash prej 800 mijë lekësh është liruar nga Gjykata e Tiranës.
Gazetari Merin Maçi raporton se togat e zeza të kryeqytetit pranuan kërkesën e prokurores, Arta Marku për të ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për infermieren.
Shkak i ndryshimit të masës u bë fëmija 2-vjeç që ka infermierja Hysi.
E reja, e cila punonte në spitalin Infektiv i njohur si COVID 1, u arrestua më 26 janar pasi akuzohet se i ka grabitur 800 mijë lekë një të infektuari me koronavirus, i cili ndërroi jetë në pavionin ku ajo shërbente.
Në seancën e kaluar infermierja u shpreh se e ka kryer gjestin për shkak të gjendjes së saj të keqe ekonomike, pasi është divorcuar dhe jetonte vetëm me djalin e saj 2-vjeçar.
Rasti i 30-vjeçares Hysi u denoncua nga 25-vjeçari me inicialet F.D, djali i pacientit me inicialet K.C, 58 vjeç, i cili ishte i shtruar në spitalin ku dhe ndërroi jetë.