RTSH nuk po ndryshon vetëm pamjen. Vetëm pak kohë pas prezantimit të identitetit të ri vizual, Radio Televizioni Shqiptar ka kaluar në fazën e zbatimit të një procesi shumë më të gjerë: transformimin dhe ristrukturimin e institucionit për periudhën 2026–2030, me ekspertizën e European Broadcasting Union (EBU).
Task-Forca e ngritur posaçërisht për këtë proces ka zhvilluar mbledhjen e parë në formën e një workshop-i të organizuar nga EBU. Në qendër kanë qenë Strategjia e Transformimit 2026–2030 dhe hapat konkretë që duhet të ndërmerren për zbatimin e saj.
Në takim morën pjesë edhe Radka Betcheva, drejtuese e marrëdhënieve me anëtarët e EBU-së për Europën Qendrore dhe Lindore, si dhe Natalia Beregoi, menaxhere e konsulencës për transformimin në EBU.
14 persona për të koordinuar reformën
Task-Forca përbëhet nga 14 anëtarë: 11 përfaqësues të strukturave të ndryshme të RTSH-së dhe tre ekspertë të jashtëm.
Detyra e saj nuk kufizohet në dhënien e rekomandimeve. Ajo do të koordinojë dhe monitorojë zbatimin e strategjisë, duke hartuar planin e punës dhe kalendarin e reformës, duke ndjekur objektivat dhe afatet dhe duke identifikuar problematikat që dalin gjatë procesit.
Një element veçanërisht i rëndësishëm është se Task-Forca do të analizojë edhe kuadrin ligjor, nënligjor, statutor dhe rregullator të RTSH-së, për të identifikuar ndryshimet që konsiderohen të nevojshme. Procesi parashikon gjithashtu hartimin e procedurave, projekt-rregulloreve dhe projekt-vendimeve të reja.
Pra, bëhet fjalë potencialisht për një ndërhyrje shumë më të thellë sesa ndryshimi i programacionit apo grafikës televizive.
EBU kërkon ndryshime edhe në strukturën e RTSH-së
Sinjalet për drejtimin e reformës janë dhënë edhe nga vetë EBU.
Radka Betcheva ka theksuar nevojën për stabilitet institucional, financim të qëndrueshëm dhe një strukturë organizative të përshtatur me transformimin e tregut mediatik. Ajo ka evidentuar se struktura aktuale e RTSH-së, ku radioja dhe televizioni kanë drejtim të ndarë, paraqet sfida në procesin e ristrukturimit.
EBU ka ngritur gjithashtu çështjen e financimit. Sipas Betcheva-s, taksa e televizionit vazhdon të jetë një mekanizëm i rëndësishëm sepse krijon një lidhje të drejtpërdrejtë mes publikut dhe transmetuesit publik, ndërsa çdo ndryshim i modelit financiar duhet të marrë parasysh shërbimet që RTSH duhet të ofrojë.
Nga arkiva te OTT
Transformimi prek edhe teknologjinë.
Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxholli, ka kërkuar mbështetje financiare për përshpejtimin e digjitalizimit të arkivës së RTSH-së, një nga asetet më të rëndësishme historike të transmetuesit publik.
Ndërkohë, prezantimi i identitetit të ri është shoqëruar me zhvillimin e platformës OTT, projekte të reja dhe synimin për ta bërë përmbajtjen e RTSH-së më të aksesueshme për audiencat që nuk e konsumojnë më televizionin vetëm në mënyrë lineare.
Logoja e re ishte vetëm fillimi
Kjo e vendos edhe ndryshimin e fundit të logos në një kontekst tjetër.
Identiteti i ri vizual nuk duhet parë më si një ndërhyrje e izoluar grafike. Ai është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ndryshuar mënyrën se si RTSH organizohet, financohet, prodhon, shpërndan dhe prezanton përmbajtjen e tij.
Drejtoresha e Përgjithshme Eni Vasili e ka lidhur publikisht transformimin edhe me objektivin për të rikthyer besimin, audiencën dhe vëmendjen e publikut ndaj transmetuesit publik. Ajo ka konfirmuar gjithashtu se RTSH i ka kërkuar EBU-së ekspertizë për procesin e reformës.
Pikërisht këtu fillon pjesa më interesante për t’u monitoruar: çfarë do të ndryshojë realisht brenda RTSH-së deri në vitin 2030?
Sepse logoja e re dhe programacioni janë ato që sheh publiku. Reforma e strukturës, financimit, teknologjisë, arkivës, proceseve të brendshme dhe mënyrës së menaxhimit do të përcaktojë nëse ndryshimi do të mbetet kryesisht vizual apo do të prodhojë një RTSH realisht të transformuar.








