Për dekoderat dixhitalë dhe familjet në nevojë…

Eshtë hapur edhe një herë tjetër debati për dekoderat dixhitalë. Shkak për këtë u bë një vendim i qeverisë Rama për të subvencionuar me paratë e Buxhetit të Shtetit dekoderat dixhitalë për një pjesë të popullsisë, konkretisht për ata që janë “me ndihmë ekonomike”. Vendimi, i bërë publik tani vonë, është marrë më 16 shtator 2015. Jepet edhe shuma prej 2.5 milionë eurosh e caktuar për këtë qëllim, ose 100 USD për një aparat dekoderi.

Menjëherë pas këtij lajmi, reagoi deputeti Sali Berisha. Ai tha në Parlament (ditën e enjte, 29 tetor), se këto para do t’i jepen televizionit “Top Channel” për të blerë dekoderat, sepse ky televizion është “në krizë shikueshmërie” etj. Dhe pritet të vazhdojë edhe më tej ky debat politik që i afrohet vetëm pjesërisht së vërtetës. Me dëshirën për t’i kontribuar sadopak asaj, po them disa fjalë për dekoderat etj. Dekoderat janë pajisje teknike elektronike (të paanshme politikisht, natyrisht), që përdoren për të bërë të mundur që aparatet e vjetra televizive, të prodhuara dhjetë vjet më parë, (para vitit 2005), të mund të marrin programet televizive të transmetuara me teknikën dixhitale. Ato dekodojnë (zbërthejnë) programet e koduara te platforma dixhitale.

Televizorët e rinj nuk kanë nevojë për dekodera “të jashtëm” (jashtë aparatit televiziv) dixhitalë, sepse këta, dekoderat, i kanë të integruar brenda tyre, në momentin që janë prodhuar, pasi ishte shpikur tashmë teknika dixhitale e transmetimeve. Kjo nisi me fillimin e viteve 2000 dhe hyri në Shqipëri me operatorin e parë “Digitalb”, në vitin 2004.
Nuk ka asnjë evidencë te ne për atë se sa aparate televizive kanë dekoderë të integruar (brenda tyre) dhe sa aparate televizive nuk kanë dekodera të tillë dhe prandaj kanë nevojë për dekodera (të jashtëm) që të transmetojnë në teknikën dixhitale. S’e ka vënë njeri ujët në zjarr për këtë punë, ndërkohë që mund të ishte bërë.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë studim për atë se sa për qind e televizorëve në Shqipëri janë shumë të vjetër dhe, për pasojë, nuk mund të punojnë as me dekodera të jashtëm. Bota e përparuar i ka bërë këto studime dhe kjo shifër e aparateve shumë të vjetra televizive (që nuk mund të përdoren fare me teknikën dixhitale) shkon nga 6 deri në 8 për qind. Në vendin tonë, për arsye të gjendjes ekonomike dhe teknike që dihet, kjo shifër duhet të jetë më e lartë, pra, rreth dhjetë për qind. Kjo do të thotë se, me mbylljen e transmetimeve radiotelevizive në teknikën e deritanishme analoge (duhej të ishin mbyllur tashmë), këta individë apo familje që kanë këto aparate të vjetra, të mos kenë më mundësi të shikojnë televizor.

Ky është një problem i madh i shoqërisë dhe për këtë deri më sot nuk ka menduar askush. Ky do të jetë një terr i plotë informativ për, të themi, dhjetë për qind të popullsisë, që do të privohet nga e drejta e informimit, gati gjashtëdhjetë vjet pas shpikjes së televizorit. Përfytyroni një familje të varfër pensionistësh që nuk do të kenë më mundësi të shikojnë televizor, edhe pse qeveria u ka dhuruar një… dekoder!
Qeveria thotë se do të subvencionojë dekoderat, por jo aparatet televizive në rastet kur familjet me përkrahje sociale nuk kanë mundësi të blejnë televizorë të rinj. Por kjo, siç thamë, nuk mjafton.

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë thuhet: “E drejta e informimit është e garantuar” (Neni 23, pika 1). Pra, do të kemi një cenim të së drejtës kushtetuese, për të paktën dhjetë për qind të popullsisë, edhe me këtë masë të fundit të qeverisë. Të vijmë tani te vendimi i qeverisë. A është ai një vendim i drejtë? A është i justifikuar subvencioni i dekoderave nga qeveria për familjet me të ardhura të pakta ose shumë të pakta? Po, vendimi i qeverisë në këtë rast është plotësisht i justifikuar. Qeveria e ka për detyrë t’u garantojë qytetarëve të vet “të drejtën e informimit”. Për këtë vendim, këto familje të varfra nuk duhet t’i jenë shumë mirënjohëse qeverisë.

Kjo nuk është një shpikje e qeverisë shqiptare, është një praktikë e njohur, që e kanë zbatuar edhe vende të tjera para nesh më parë, herë me subvencionimin e dekoderave nga qeveria, si, për shembull, në Itali etj., herë me subvencionimin e tyre nga vetë platformat (private) dixhitale, si, për shembull, në Britani të Madhe, Gjermani etj. Qeveria e ka për detyrë kushtetuese ta bëjë një gjë të tillë ndaj qytetarëve të vet (duhej ta kishte bërë qeveria “Berisha”), ndërsa platformat dixhitale private komerciale duan të tërheqin sa më shumë shikues, prandaj i falin dekoderat ose i japin ata me çmime simbolike.

Tani të vijmë te kritikat e deputetit Berisha. A qëndrojnë ato dhe si është e vërteta? Këtu ka arsye të besojmë pjesërisht deputetin e opozitës (megjithëse ky, siç do ta shikojmë, nuk është fort kompetent në teknikën dixhitale). Cila është kjo arsye? Të kthehemi prapë te teknika.
Në Shqipëri ekzistojnë sot tri platforma dixhitale, përkatësisht: “Digitalb”, “Tring” dhe platforma dixhitale e Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Të tria këto platforma transmetojnë programe që merren (dekodohen) nga dekodera të ndryshëm, domethënë, dekodera që nuk mund të përdoren, veçse për programet e një platforme. Unë, për shembull, kam në shtëpi dekoderin e kompanisë “Digitalb”. Por unë dua të shikoj ndeshjet e futbollit të Champions League, që tani i transmeton kompania “Tring”, ndërsa dekoderi që kam unë nuk bën për këtë punë, kështu që unë duhet të blej tani dekoderin e “Tring”–ut (që, sipas qeverisë, kushton 100 USD).

Mirëpo vitin tjetër, mund të blejë dhe të transmetojë TVSH-ja një program interesant dhe unë atëherë duhet të blej dekoderin e TVSH-së. Kështu do të vazhdojmë pafundësisht me blerjen e dekoderave të kompanive të ndryshme dixhitale. Nëse të gjithë shqiptarët do të detyroheshin të blinin (ndërronin) dekoderat, sa herë duan të shikojnë programe të reja, atëherë, për mbi 800 mijë aparate televizive që ka vendi, do të duheshin të paktën 8 000 000 USD (me çmimin e qeverisë) për blerjen e dekoderave të rinj. Një masakër e vërtetë me paratë e qytetarëve të varfër shqiptarë! Në debatin për këtë problem në Parlament të enjten u përfshi edhe vetë ministrja për Inovacionin, zonja Harito.

Nga ato që tha ajo, krijova përshtypjen se ajo nuk ishte shumë e “inovuar” në këtë drejtim. Ajo tha se familjeve shqiptare (në asistencë) “do t’u rimbursohet edhe karta dixhitale”, për të parë televizionin dixhital (megjithëse kjo nuk thuhet në vendimin përkatës të qeverisë!). Sidoqoftë, kjo nuk më duket aspak e drejtë. Rimbursimi për filma, për sport, për kanalet e seksit, apo për çfarë tjetër? Më tej dhe më e rëndësishmja: rimbursimi për programet e “Digitalb”, të “Tring” apo të TVSH-së? Dhe pse duhet të paguajnë taksapaguesit shqiptarë për këto? (Qeveria i merr paratë nga taksat). Ata boll pranojnë të paguajnë dekoderat për të varfrit me paratë e taksave të tyre.

Nëse qeveria mendon të bëjë një “bamirësi” të tillë, duhet më së paku ta diskutojë këtë në Kuvend, kur të miratohet buxheti vjetor. Kam përshtypjen se ministrja e Inovacionit nuk është edhe aq e informuar, ose i bëri bisht problemit edhe për një çështje tjetër më të rëndësishme: me cilën platformë dixhitale do të jenë të lidhur dekoderat që do të subvencionojë qeveria: me “Digitalb”, me “Tring”, apo me TVSH-në? Këtu fle lepuri. Nëse qeveria do të dhurojë dekodera të blerë me paratë e taksapaguesve (dhe bashkë me ta, edhe “kartën e paguar”, sipas Haritos, për nja 35 mijë familje të varfra!), për një platformë të caktuar dixhitale, kushdo qoftë kjo, të zgjedhur nga qeveria, atëherë ky do të ishte një gabim i rëndë.

Kjo do të ishte një përpjekje e hapur për të blerë një apo disa media të caktuara, me paratë e taksapaguesve, në prag të zgjedhjeve të reja.Dekoderat nuk do të ishin më kështu një “çështje teknike”, por do të ktheheshin në çështje politike. Në vitin 2004 (sa për kujtesë), 78 deputetë të Parlamentit Shqiptar të të gjitha partive, “me konsensus” pra, kishin firmosur një projektligj sipas të cilit, i jepej ekskluziviteti i transmetimeve dixhitale një kompanie të vetme private. Kujt do t’i jepet tani ky “ekskluzivitet”? Kjo e tanishmja do t’i jepte të drejtë deputetit Berisha që të çirrej deri në kupë të qiellit, duke kritikuar natë e ditë qeverinë në Parlament.

Cila është zgjidhja? E ka dhënë bota e qytetëruar: Duhen blerë dekodera universalë, që përdoren për të kapur (dekoduar) programet e të gjitha platformave dixhitale të licencuara. Dhe kjo bëhet me ligj në Parlament. Ata që japin licencat e transmetimeve dixhitale (AMA), duhet ta vënë si kusht që platformat dixhitale të përdorin programe të kapshme nga të gjitha llojet e dekoderave. Në këtë mënyrë të gjithë qytetarët (dhe jo vetëm të varfrit), do të kenë mundësi (teknike) që të shikojnë të gjitha programet televizive që dëshirojnë, të të gjitha platformave, pa qenë nevoja të blejnë dekodera të rinj për çdo platformë. Natyrisht, programet me pagesë do të vazhdojnë të jenë po atje, sepse pagesa për programin është tjetër gjë dhe aksesi te platforma është tjetër gjë.

Marre nga Panorama

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.