Shkëlzen Berisha akuzon Shqiptarja.com për “fake news”, kërkon burgosjen e 5 gazetarëve

Shkëlzen Berisha, djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha ka paraqitur kërkesë-padi pranë Gjykatës së Tiranës për dënimin me burg të 5 gazetarëve, pjesë e Shqiptarja.com përkatësisht Genc Kondi, Administrator i shoqërisë mediatike, Aurel Papa, Kryeredaktorin e Gazetës në versionin Print, Drejtoreshën e Portalit, Danjela Bonollari si edhe autorët e shkrimeve B.K dhe L.Q.

Carlo Bollino drejtuesi i grupit mediatik, në emër të redaksisë dhe të të akuzuarve ka bërë një deklaratë të ashpër ndaj Shkëlzen Berishës si vijon:

“Shkëlzen Sali Berisha i kërkon Gjykatës së Tiranës të burgosë pesë gazetarë të Shqiptarja.com, të cilët, sipas tij, janë fajtorë se kanë publikuar një lajm të rremë.

I biri i Mbretit të Shpifjes, që e ka ngritur karrierën politike, të tij dhe të familjes së tij, mbi ofendimet personale, shpifjet familjare, sajimet më groteske pa paraqitur asnjëherë qoftë edhe një provë të vetme, ka ngritur një padi penale në Gjykatë kundër pesë gazetarëve të Shqiptarja.com: Genc Kondi, Aurel Pepa, Daniela Bonollari, l.q dhe B.K, të përmendur vetëm me iniciale, duke kërkuar zbatimin e Nenit 120 të Kodit Penal dhe duke evidentuar në padi që ky nen parashikon dënim deri me dy vite burgim.

“Faji” i gazetarëve është se kanë botuar një dokument që është bërë publik nga Komisioni Hetimor parlamentar për skandalin e CEZ-it dhe sipas të cilit Shkëlzen Sali Berisha, në vitet kur babai i tij ishte në pushtet, nuk kishte paguar të gjitha taksat që duhej të paguante. Shkëlzen Berisha, në vend që të denoncojë Komisionin (para të cilit refuzoi edhe të dëshmonte dhe ku mund të kishte sqaruar edhe këtë aspekt të akuzave) hakmerret kundër gazetarëve të pavarur që patën kurajon të botonin dokumentat, për të cilat ai nuk deshi të japë asnjë shpjegim. Po të kishte folur përpara Komisionit, Shqiptarja.com do të kishte publikuar me siguri, siç ka bërë gjithnjë me profesionalizëm dhe korrektesë, edhe versionin e fakteve sipas tij.

Por, në të vërtetë, pas kërkesës për të çuar në burg pesë gazetarë të Shqiptarja.com fshihet një akt i hapur presioni politik ndaj një media të pavarur, në një çast jetik për veprimtarinë politike të Partisë Demokratike, sikurse e pranon këtë vetë djali i ish-kryeministrit në tekstin e padisë së tij. “Siç edhe dihet botërisht – lexohet në padi – i dëmtuari akuzues është djali i ish Kryeministrit Z. SALI BERISHA, një figurë e rëndësishme për mbarë politikën e vendit në këto 25 vite dhe gjithashtu një zë i pazëvendësueshëm i opozitës së sotme shqiptare. Duke shpifur botërisht ndaj djalit, natyrisht që cenohet edhe figura e ish Kryeministrit Berisha, në dëm kjo edhe të opozitës së sotme parlamentare, në një moment kohor që përkon me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare”.

Të kërcënosh me burg pesë gazetarë të pavarur është, kështu, metoda që shpik familja Berisha për t’i mbyllur gojën shtypit që nuk e kontrollon, me qëllim që të mos shqetësojë veprimet politike të doktorit dhe të Partisë Demokratike.

Kjo padi e ngritur nga Shkëlzen Sali Berisha në të vërtetë përmban një gafë, edhe më të pabesueshme pikërisht nga fakti se vjen nga djali i ish-kryeministrit, që ka në dispozicion disa nga avokatët dhe profesorët universitarë më të zotë të vendit. Një gafë, të cilën ne, në realitet, e interpretojmë si një lapsus frojdian.

I shtyrë nga dëshira e dëshpëruar për të çuar në burg gazetarët e Shqiptarja.com, në të vërtetë Shkëlzeni citon në padinë e tij versionin e nenit 120 të Kodit Penal të miratuar nga babai i tij në vitin 1995, që parashikon pikërisht dy vjet burg për gazetarët, duke harruar se në vitin 2012 ky nen u modifikua dhe kështu që sot burgimi për atë vepër nuk parashikohet më.

Pavaresisht nga lumi i baltës që çdo ditë rrjedh në botën shqiptare të informacionit (në mediat e shkruara dhe ato elektronike) shpesh i ushqyer pikërisht nga akuzat e shpikura nga Sali Berisha dhe nga mediat e financuara në të zezë nga i biri, është e para herë që një eksponent politik kërkon burg për pesë gazetarë.

Qeveria shpesh ka sulmuar mediat gojarisht duke i përcaktuar si “këneta mediatike”, por nuk ka ndërmarrë asnjëherë asnjë veprim juridik konkret ndaj ndonjë gazetari dhe ndonjë botuesi edhe kur janë akuzuar për publikim të “fake news”. Sali Berisha ka arritur të marrë anën e shpifjeve duke i mbrojtur dhe duke i cilësuar si pjesë të lirisë së shtypit dhe të së drejtës së informimit. Një qendrim ekstrem, që i ka mundësuar Berishës dhe mediave të tij të vazhdojnë të fyejnë dhe njollosin për vite të tëra, jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe gazetarë e qytetërë të thjeshtë, duke i akuzuar për krime të çdo lloji, pa e ndjerë kurrë detyrimin për t’i dokumentuar akuza të tilla.

Por paprimtas familja Berisha zbulon tani se liria e shtypit ka një kufi dhe se gazetarët që publikojnë kritika kundër tyre duhet të shkojnë në burg.
Burimi i përdorur këto tre vitet e fundit për shpifje nga opozita ka qenë “qytetari dixhital”, një shpikje e Berishës që zëvendëson letrat e dikurshme anonime të Sigurimit, me të cilën, nëpërmjet Facebook-ut, çdo ditë përdor burime anonime dhe të paverifikuara për të shpifur kundër kujt t’i dalë përpara. Gjithnjë pa asnjë provë.

Po ja çfarë shkruan lidhur me këtë temë Shkëlzen Sali Berisha në padinë e tij kundër pesë gazetarëve të Shqiptarja.com: “Në rastin kur kryhet një botim kundër një personi dhe ku pretendohet se po i servir publikut një të vërtetë, ke njëkohësisht edhe detyrimin që të provosh bazën faktike të këtyre shkrimeve”. Po përse i njejti parim qytetarie nuk vlen për familjen Berisha dhe mediat e veta?

Por groteskja nuk mbaron këtu. Në fakt, Shkëlzeni shpjegon edhe pse liria e shtypit, të cilën e shpalos i ati si flamur i Partisë Demokratike, nuk mund të përdoret në realitet kundër familjes së tij. “Nëse nga njera anë nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garantojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit, nga ana tjetër neni 3 i Kushtetutës sanksionon ndër të tjera se ‘… dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore … janë bazat e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë’. (…) Nga përmbajtja dhe interpretimi i dispozitave të mësipërme, parimisht nxjerrim konkluzionin se liria e shprehjes dhe e informimit është e garantuar dhe e mbrojtur nga ligji për këdo, por kjo liri mund t’u nënshtrohet kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj në rastet kur (veç të tjerash) prek moralin, nderin, dinjitetin dhe të drejtat e të tjerëve. Parashikimi në Kodin Penal i veprës penale të shpifjes dhe sanksionet e parashikuara, janë pikërisht masat që me ligj janë marrë për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit të personit”.

Pyetja është e thjeshtë: Pse familja Berisha dhe mediat e tyre, kur shkruajnë dhe shpifin kundër të tjerëve, nuk duhet t’i respektojnë këto rregulla, që tani i përdorin në mbrojtje të tyre? Nëse Shkëlzen Sali Berisha ka kërkuar burg për pesë gazetarë, fajtorë se kanë publikuar një artikull që, vëtëm sipas tij, përmban një shpifje, tani duhet të presë që mijëra qytetarë duke përdorur të njejtat argumenta të tij, të kërkojnë burg për të dhe për babain e tij, të cilët prej vitesh përdorin sistematikisht shpifjet “për përfitime ekonomike, kredo politike – apo çfarëdolloj interesi tjetër – nëpërmjet denigrimit e njollosjes së nderit dhe reputacionit të të dëmtuarit akuzues”. Këto të fundit janë fjalë të shkëputura tekstualisht nga padia e nënshkruar nga Shkëlzeni kundër nesh, por që, në realitet, i përshtatet politikës së shpifjeve, që ndjekin prej vitesh Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij.

Natyrisht, gazetarët e Shqiptarja.com nuk kanë sajuar asnjë shpifje sipas metodës “Berisha”. Në të kundërt, kanë botuar një dokument, që është administruar nga një komision hetimor parlamentar dhe të cilin vetë ky komision ia ka dorëzuar, bashkë me gjithë dosjen, Prokurorisë së Përgjithshme, që duhet të bëjë hetimet e saj. Gazetarët e Shqiptarja.com do të mbrohen në Gjykatë për t’i treguar Shkëlzen Sali Berishës besueshmërinë dhe seriozitetin profesional me të cilin kanë punuar.

Kush e di nëse Shkëlzen Berisha, babai i tij dhe gazetarët e tyre do të dinë të bëjnë të njejtën gjë kur të çohen në gjyq për shpifjet e tyre, që ia paraqesin opinionit publik si “opinione politike” dhe “liri të shprehjes”.”

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.