Gratë e vrara nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes përbëjnë 58 për qind të të gjitha vrasjeve femra nga viktimat e raportuara globalisht vitin e kaluar,. Sipas të dhënave që u publikuan nga INSTAT, rezultoi se Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë të vrasjeve krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Por përvec këtyre të dhënave, gratë shqiptare nuk u kanë shpëtuar duarve të burrave të tyre,apo familjarëve të tjerë, edhe kur kanë kaluar kufijtë e vendit.
Edhe në Europë, sipas një raporti të UNODC, Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë. Sipas grafikëve të publikuar në këtë raport, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra, dhe ky është niveli më i lartë në Europë.
Shumë raste të tilla janë publike në mediat shqiptare, madje familjarët e viktimave kanë kërkuar edhe ndihmë për të sjellë trupat e të vrarave në Shqipëri.
Rasti më i fundit është ai i Elena Alinj, 23-vjeçarja shqiptare që vdiq më 1 tetor pas një dhune çnjerëzore nga i shoqi.
Familja e saj në Shqipëri, Agroni dhe Mirela, kërkojnë të fitojnë të drejtën për të rritur vajzën e vogël jetime, por që gjithashtu duan të marrin trupin e të bijës, pasi Elena ende nuk është prehur në atdhe. Përmes një nisme në “Gofundme”, familja kërkon ndihmë që trupi i pajetë i Elenës të mbërrijë në Shqipëri.
Elena Alinj vdiq nga një dhunë nga partneri i saj, i cili neglizhoi edhe thërritjen e ndihmës së shpejtë, duke bërë që e reja të pësojë vdekje klinike për shkak të mungesës së oksigjenit në tru. Vajza është dërguar në spital me dëmtime të rënda; frakturë brinjësh, shtylla kurrizore, njolla gjaku e kafshimi në trup, duke ndërruar jetë brenda 24 orësh në reanimacion.
Si ishte historia e Elenës?
Elena shkoi në SHBA 5 vite më parë, pasi kishte fituar lotarinë amerikane. Ajo ndërtoi një jetë në Amerikë, u martua, bëri fëmijë…por gjithçka ia prenë në mes duart e të shoqit. Tashmë, autori i dhunimit që shkaktoi vdekjen e Elenës, njëherazi edhe babai i vajzës, ndodhet pas hekurave, ndërsa komuniteti shqiptar në Amerikë bën thirrje për donacione për të sjellë trupin në Shqipëri. Familja e vajzës thotë se ajo kurrë nuk ishte ankuar për partnerin e saj, të cilin nuk arriti ta njihte siç duhet.
Një ngjarje tjetër e rëndë kriminale është shënuar në Itali, ku është dhunuar dhe është hedhur nga makina në mes të rrugës një 20-vjeçare shqiptare, e cila ka ndërruar jetë në spital. Angjela Meçani ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.
Dëshmitarët kanë rrëfyer ngjarjen e rëndë, teksa kanë parë momentin kur dikush e ka hedhur nga makina që lëvizte me shpejtësi shqiptaren dhe është larguar, duke e lënë në rrugë në gjendje kritike. Ajo është dërguar në spitalin Santa Croce në Moncalieri të Italisë, e dhunuar në mënyrë barbare, ku ka ndërruar jetë e vetme në një krevat.
Sipas mjekëve, viktima kishte dëmtime në organet e brendshme, si pasojë e hedhjes në rrugë nga makina, por jo vetëm, pasi në trup kishte shenja goditje.
20-vjeçarja Meçani ushtronte prostitucionin në vendin fqinj, dhe i dashuri me të cilin ndante dhe paratë, dyshohet se e flaku në rrugë në momentin që s’i duhej më. Gjithsesi, kjo ngjarje ka mbetur e pazbardhur.
Një tjetër grua, shqiptare nga Kosova u bra nga bashkëshorti i saj, 67 vjeç, gjithashtu nga Kosova, pasi ky i fundit e goditi me ‘lugë’ të këpucëve. Ai doli para Gjykatës së Qarkut në St.Gallen të Zvicrës, dhe u dënua me gjashtë vite burg. I akuzuari, i cili nga Kosova kishte ardhur në Zvicër si punëtor ndërtimi më 1974, e më vonë këtu e kishte marrë edhe familjen, mund të dënohet edhe me dëbim nga Zvicra për 10 vjet. Familja e tij prej shtatë anëtarësh ka funksionuar në mënyrë harmonike për një kohë të gjatë. Ai përshkruhet nga fëmijët e tij si person i qetë, me zemër të mirë, i durueshëm dhe mirëkuptues.
Por, në një të premte të vitit 2019, ai e humbi kontrollin dhe fillimisht e goditi gruan e tij me shuplakë në fytyrë. Pastaj, siç thuhet në aktakuzë, e ka kapur një lugë këpucësh prej metali, të gjatë 56 centimetra dhe e ka goditur viktimën rreth 20 deri 30 herë. Gruaja vdiq nga plagët e rënda që kishte marrë.
Vrasësi e thirri vetë Policinë dhe pa rezistuar u arrestua nga ta.
Brunilda Kovaçi është një tjetër rast i dhimbshëm. 37-vjeçarja shqiptare u gjet e masakruar dhe gjysmë e djegur në një pyll të Francës në vigjilje të Krishtlindjeve. Nëna e tre femijeve kishte disa vite që jetonte në Francë ku punonte si prostitutë dhe kishte me vete vetëm djalin e vogël të moshës 3 vjeçare. Ajo u soll në Shqipëri, në Fier ku dhe u përcoll për në banesën e fundit nga të afërmit e saj. Fëmijët e të ndjerës kanë mbetur në duart e nënës së saj që me lot në sy, në shumë dalje mediatike, kërkonte drejtësi. Për vrasjen e saj u vu në pranga një klient që dyshohet se ishte autori i aktit makabër.
Gjaku i grave shqiptare nuk ndalet me kaq. Një tjetër grua 30-vjeçare është ekzekutuar me armë në Gjermani. 30-vjeçarja me origjinë nga Kosova është Emine Abazaj, nënë e katër fëmijëve u qëllua për vdekje nga ish-partneri i saj 38-vjeçar, i cili u arrestua një ditë pas vrasjes. Ata kishin jetuar bashkë prej 7 vitesh dhe së fundmi kishin mosmarrëveshje. Megjithatë, çifti nuk ishte martuar sipas ligjeve gjermane. Sipas hetimeve paraprake, shkak i ngjarjes së rëndë mendohet të ketë qenë ndarja e tyre.
Vëllai i viktimës, Blerim Abazaj ka thënë për mediat se ditën e vrasjes ata kishin një seancë në Gjykatë. Blerim Abazaj ka pohuar se 38-vjeçari i ishte drejtuar motrës së tij me fjalët: “Do të pendohesh”.
Ai shtoi gjithashtu se i kishte bërë edhe kërcënime të tjera në gjuhën shqipe. Kërcënimet në Gjykatë i konfirmoi edhe zëdhënësi i Prokurorisë, i cili tha se nuk e dinë saktësisht se çfarë kërcënimi bëri 38-vjeçari, për shkak se foli shqip.
Sipas mediave gjermane, ish-partneri shkoi në Salzgitter pas seancës gjyqësore dhe qëlloi me armë në kokë 30-vjeçaren duke e lënë të vdekur. I arrestuari qëlloi edhe drejt motrës 32-vjeçare të viktimës, duke e lënë të plagosur. Më pas u arratis me makinë dhe u arrestua një ditë më pas.
Zvicra është tronditur nga një tjetër ngjarje e rëndë të premten. Në qytetin e Zyrihut, një 60-vjeçar mori peng të dashurën shqiptare dhe shoqen e saj me të cilën banonte dhe më pas i vrau. Mediat zviceriane shkruanin se bëhet fjalë për një 34-vjeçare me iniciale I.S, me origjinë nga Kamenica.
Policia u njoftua nga njëri prej fqinjëve, i cili pa një nga femrat që po kërkonte ndihmë, duke bërtitur spanjisht në ballkon. Policia arriti në vendngjare për 10 minuta.
Pengmarrësi ndërkohë po i kërcënonte, se nëse nuk largoheshin do t’i vriste të dyja gratë.
Në momentin që policia vendosi të ndërhynte, të tre personat ishin plagosur rëndë dhe gjetën vdekjen e menjëhershme. Shqiptarja dhe shoqja e saj jetonin në një banesë në Döltschiëeg. Ky është një nga rastet e rralla ku dhe autori vdes me viktimën.
Zvicra është tronditur sërish nga një ngjarje makabër. Këtë herë, më 22 tetor të vitit 2018, në zonën e Frauenfeld TG, një 19-vjeçar i ka prerë kokën gjyshes së tij 74-vjeçare. Kur policia ka shkuar në vendin e ngjarjes në apartament ka gjetur vetëm trupin e të ndjerës. 19-vjeçari, Fatmir T. u arrestua nga policia në Kloten në zonën e aeroportit. Policia sekuestruar celularin e tij ku pa se adoleshenti kishte filmuar gjithë ngjarjen e rëndë.
Krimet e tilla nuk numërohen me gishtat e duarve dhe madje nuk arrijnë të shkruhen as në faqet e një gazete, fatkeqësisht janë shumë….Gratë shqiptare kanë përparuar vërtet. Ato janë bërë të zonjat e vetes, largohen nga vendi i tyre për një të ardhme më të mirë dhe janë shumë larg imazhit të femrës që i shtrin dorën të shoqit, por a do të mund t’i shpëtojnë dot grushtit dhe ‘xhelozisë’ së tij të sëmurë? A munden gjyshet të flenë të qeta pa menduar se ndoshta nipi që ia mbajti kokën në prehër do t’i marrë jetën? Për të arritur këtu duhen forcuar me fanatizëm dy gjëra: dashuria e grave shqiptare për veten dhe edukimi i djemve! Ky i fundit vjen sërish nga gratë….kujdesuni për to!